Çfarë simbolizon titulli “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”?

 

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Çdo vit, një qyteti të ri evropian i jepet shansi për të shfaqur idetë, projektet dhe aktivitetet e tij novatore që synojnë të fuqizojnë zërat e rinj dhe të sjellin një perspektivë të re rinore në të gjitha aspektet e jetës së qytetit.

Për më shumë informacion mbi Titullin “European Youth Capital” dhe Forumin Rinor Evropian, klikoni më poshtë:

European Youth Capital

European Youth Forum

Si erdhi titulli “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” në Tiranë?

 

Ishte viti 2018 kur pas një reflektimi disa mujor dhe takimeve planifikuese, Kongresi Rinor Kombëtar vendosi t’i drejtohet Bashkisë Tiranë si institucion përgjegjës i qeverisjes lokale të Tiranës për të ndërtuar një urë bashkëpunimi, dhe për të nisur një rrugëtim impenjativ e me rëndësi për rininë shqiptare, aplikimin për të qenë kandidat për titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

Kongresi Rinor Kombëtar është një organizatë ombrellë organizatash rinore, grupesh jo formale, forumesh rinore të partive politike, me një përfaqësi prej më shumë se 120 entitetesh, me qëllim shkëmbimin e informacionit, nxjerrjen në pah të çështjeve të të rinjve, advokimin dhe lobimin për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe ngritjen e kapaciteteve për të gjitha entitetet e përfshira në rrjet.

Pas një rrugëtimi që zgjati më shumë se një vit, grupi i punës së Kongresit Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, arriti të ndërtojë një projekt-program të plotë dhe tejet ambicioz, i cili u vlerësua nga juria e EYF si aplikimi fitues, duke bërë që Tiranës t’i atribuohet titulli e të kthehet në Kryeqytetin Evropian të Rinisë për vitin 2022.

Puna e përbashkët e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë u vlerësua për fokusin tek të rinjtë dhe programin që synon të sjellë një perspektivë rinore në të gjithë aspektet e jetës së qytetit, por jo vetëm, vibrimi i Tiranës si qytet me përfaqësi rinore nga i gjithë vendi e zgjeron rrjedhimisht përkatësinë e këtij titulli dhe i jep një karakter kombëtar.

Tirana u shpall “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” në 2019, në Amiens, Francë, dhe stafetën zyrtare të këtij titulli e mori më 17 Dhjetor 2021 në Klaipeda, Lituani, përgjatë ceremonisë përmbyllëse të “Klaipeda – Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2021”.