Kush Jemi Ne
E përkufizojmë veten si një bashkim i suksesshëm forcash dhe vizioni me në qendër rëndësinë e rinisë shqiptare. Jemi një grup që synojmë të përfaqësojmë rininë e këtij vendi, një ombrellë organizatash rinore, grupesh jo formale e forumesh të ndryshme. Jemi Kongresi Rinor Kombëtar dhe në bashkëpunim të plotë me Bashkinë Tiranë kemi arritur me meritë e përkushtim të kemi mundësinë të jemi fitues të titullit “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program dhe mundësi fantastike që do të zgjasë 365 ditë, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, të cilat do të mbulojnë një gamë të gjerë tematikash e prioritetesh që kanë në qendër rininë, në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian.
Ky program synon të fuqizojë rininë duke krijuar mundësi të reja e duke i dhënë asaj një dimension evropian. Ndër të tjera, programi synon:
- të sjellë ndryshime pozitive;
- të inkurajojë pjesëmarrjen aktive;;
- të promovojë dhe të mbrojë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen;
- të rrisë investimet për të rinjtë;
- të transformojë qytetin në një pikë ndërkombëtare takimi;
- të krijojë rrjetëzime dhe sinergji mes të rinjve nga e gjithë Evropa.
MISIONI
Misioni i Tirana EYC 2022 është të stimulojë të rinjtë që të bëhen më proaktivë për çështjet që i shqetësojnë ata, më të prirur për të shfrytëzuar mundësitë ekzistuese ndërkohë që gjenerojnë ndryshim dhe realizojnë fuqinë e tyre transforumese si agjentë të ndryshimit pozitiv dhe afatgjatë.
VIZIONI
Vizioni i Tirana EYC 2022 është transformimi i të rinjve në agjentë të ndryshimit në komunitet duke siguruar që Tirana të bëhet një qytet gjithëpërfshirës për çdo brez.
VLERAT
Vlerat dhe parimet themelore që na identifikojnë, pjesë e pandashme e këtij rrugëtimi që nga fillesat e tij janë fuqizimi i të rinjve, pjesëmarrja rinore, të drejtat e njeriut, gjithëpërfshirja dhe dimensioni Evropian.