Programet e TEYC2022

Njihuni me 8 Programet e Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022

Rinia prodhon Ekonomi Krijuese dhe Novacion

Kreativiteti është një aset dhe potencial ende i pashfrytëzuar në sferën ekonomike shqiptare dhe duhet konsideruar si energjia frymëzuese dhe aftësia që nxit shumë individë, përfshirë të rinjtë, të ndërmarrin nisma të reja me vizionin e transformimit të ardhshëm të shoqërisë tonë.

Ky program shtrihet në spektrin e potencialit krijues dhe novator të të rinjve, të cilët kanë aftësi të identifikojnë ide dhe paraqesin zgjedhje origjinale që mund të influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë fusha të shumta të jetës së qytetarëve.

Qëllimi i këtij programi është të mbështesë transformimin e kreativitetit të të rinjve në kulturë dhe novacion bazuar kryesisht në shfrytëzimin e teknologjisë por jo vetëm. Ky program do mundësojë të rinjtë të themelojnë një qasje dhe një mentalitet autentik, duke i dhënë mundësi të shprehin një model të ri zhvillimor bazuar në novacion dhe në rëndësinë e sipërmarrjeve.

Programi jep hapësirë për një larmi aktivitetesh trajnuese dhe mentorimi, krijimit të platformave të rritjes së kapaciteteve dhe ekonomisë krijuese, grante dhe përmirësim të aksesit në financime, evente për zgjerimin e rrjeteve, panaire e pune, etj.

Rinia krijon Kulturë

Kultura ka forcë të transformojë vizionin e një shoqërie, të forcojë komunitetet lokale dhe të krijojë një ndjenjë identiteti dhe përkatësie tek njerëzit e të gjitha moshave, por në veçanti tek brezi i ri. Si një faktor që nxit angazhimin e rinisë për t’i pasqyruar çështjet e jetës së përditshme në forma kreative, kultura luan kështu një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik për brezat e ardhshëm. 

Tirana ka bërë progres të rëndësishëm në këtë drejtim, por ka ende shumë punë  për të maksimizuar më tej potencialin e kulturës dhe artit si një faktor për zhvillimin e rinisë dhe angazhimin e tyre në jetën jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë vendin. 

Të rinjtë janë plot ëndrra e pasione por gjithashtu kanë energjinë dhe kapacitetin për t’u transformuar në një motor të ndryshimeve kulturore e sociale në një shkallë të gjerë. 

Ky program synon të nxisë rininë për të eksploruar mënyrat se si kultura dhe arti mund të vihen në dobi të jetës së tyre të përditshme, por edhe të kthehen në një mjet të fuqishëm për ndryshime pozitive afatgjata.

Programi paraqitet si një hapësirë për të mirëpritur projekt ide të cilat parashikojnë ndërtimin e një itinerari aktivitetesh artistike dhe edukative, festivale dhe projekte shkëmbimi të cilat promovojnë aspektet ndërkulturore përmes eksplorimit të traditave dhe vlerave të ndryshme në Shqipëri, rajon dhe Evropë, duke e vënë theksin tek vlerat evropiane dhe tek aftësitë e ndryshme përmes të cilave të rinjtë mund të ndikojnë në zhvillimin e kulturës së një shoqërie.

Rinia zhvillon Kapacitete

Investimi në formimin, në arsimimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre është një faktor i domosdoshëm për zhvillimin e kapaciteteve rinore. Kjo nënkupton krijimin e mundësive dhe pajisjen e tyre me mjetet dhe mënyrat e duhura për t’u bërë motori i zhvillimit në nivel individual dhe në komunitet.

Përfshirja aktive e të rinjve në planifikim, vendimmarrje dhe përpjekjet për të rritur mirëqenien lokale përbëjnë themelet e progresit shoqëror. Ndaj, ky program synon të ndihmojë të rinjtë në rrugëtimin e tyre drejt arritjeve personale përmes zhvillimit të kapaciteteve.  

Duke kombinuar një sërë aktivitetesh të ideuara në mënyrë kreative, duke trajtuar aftësitë e nevojshme për sfera të ndryshme të jetës, ku të rinjtë jo vetëm do të trajnohen por do të jenë protagonistë aktivë në rritjen e kapaciteteve të bashkëmoshatarëve, programi do të mbështesë të rinjtë në zhvillimin e aftësive teknike dhe të buta, inteligjencës emocionale dhe personalitetit të tyre. 

Projekt idetë e parashikuara për t’u zhvilluar në kuadër të këtij programi synojnë të përmirësojnë cilësinë e punës së të rinjve si dhe të rrisin sinergjinë me sistemet e arsimit dhe ofruesit e vendeve të punës. Të rinjtë do mund të marrin udhëzime për përdorimin e duhur të burimeve në dispozicion, do të shprehin idetë e tyre sipërmarrëse si dhe do të informohen se si të përshtaten me sfidat dhe dinamikat e punës dhe jetës së përditshme.

Krijimtaria, talentet dhe fryma e tyre e sipërmarrjes do të promovohen përmes këtij programi në mënyrë që të dalë në pah potenciali i tyre i vërtetë dhe që ata të mund të fitojnë siguri në zgjedhjet e tyre.

Rinia dhe Pjesëmarrja

Jeta e të rinjve është ndër më të prekurat nga zhvillimet lokale dhe ato globale. Gjithnjë e më shumë ata përballen me papunësinë dhe pasigurinë profesionale, mungesën e qëndrueshmërisë politike, recesionin ekonomik dhe më e rëndësishmja, me ndryshimin e klimës. 

Të gjitha këto problematika po i bëjnë të rinjtë të pasigurt për stabilitetin dhe mirëqenien e tyre në të ardhmen, veçanërisht në Shqipëri. Ndaj është e rëndësishme që të rinjtë të jenë pjesë e vendimeve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, duke sjellë rezultate më të mira, më demokratike dhe të qëndrueshme.

Gjithmonë e më shume të rinjtë në Evropë po marrin pjesë në vendimmarrje duke demonstruar aftësitë e tyre për advokim, komunikim efektiv e negocim. Vëmendje të veçantë zë angazhimi i tyre për të sfiduar padrejtësitë e për të qenë anti konformistë. Shumë të rinj, me perspektivat e tyre unike, kanë filluar t’u japin formë këshillave rinorë, komuniteteve dhe ambienteve përreth tyre duke ndikuar tek politikë bërësit, profesionistët dhe tek media.

Qëllimi i këtij programi është të rrisë perceptimin dhe besimin e të rinjve në potencialin e tyre si agjentë ndryshimi, duke inkurajuar përfshirjen e tyre më të lartë në proceset vendimmarrëse, në nivel qendror e lokal. 

Ky program promovon nxitjen e projekt ideve në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në qeverisjen lokale përmes aktiviteteve për zhvillimin e vullnetarizmit dhe aktivizmit, organizimin e debateve dhe grupeve të advokimit, seancave të rritjes së kapaciteteve me fokus fuqizimin e zërit rinor, etj.

Rinia dhe Diversiteti

Koncepti i diversitetit shtrihet në themelet e trashëgimisë dhe identitetit Evropian, duke përfshirë pranimin dhe respektin ndaj multikulturalizmit. Të gjithë duam të shohim një Shqipëri aktive dhe të begatë, ku njerëzit e çdo moshe, gjinie, aftësie, feje, orientimi seksual, prejardhje etnike, kombëtare, kulturore dhe shoqërore të mund të bashkëjetojnë me dinjitet dhe paqe brenda familjes Evropiane.

Pasuria e shoqërisë shqiptare qëndron në vullnetin e saj për të përqafuar diversitetin kulturor dhe harmoninë fetare, e cila vihet re gjithashtu nga numri i komuniteteve të ndryshme dhe pakicave të pranishme në vendin tonë. 

Për më tepër, inkurajimi i dialogut ndërkulturor ndihmon shoqëritë në kuptimin dhe pranimin e njëri-tjetrit duke shkuar përtej tolerancës së thjeshtë, duke përqafuar dhe promovuar veçoritë e secilit individ. 

Qëllimi i këtij programi nuk është vetëm edukimi i të rinjve në të paturin e një këndvështrimi më pozitiv ndaj një shoqërie me tipare të larmishme, por për t’i kthyer ata në nxitësit kryesorë të multikulturalizmit dhe tolerancës. Me anë të inkurajimit të brezit të ri për të qenë pa barriera, më i lirë nga paragjykimet dhe duke nxitur një klimë ku barazia dhe respekti i ndërsjellë janë jetësore, synojmë të krijojmë një komunitet bashkëpunues dhe dashamirës, forca intelektuale e të cilit buron nga sinergjia e diversitetit të njerëzve që e përbëjnë atë.

Ky program synon të rrisë ndërgjegjësimin multikulturor të Rinisë përmes një sërë projekt idesh të shumëllojshme dhe gjithëpërfshirëse. Të rinjtë nga komunitete të ndryshme do të kenë mundësitë për të përfaqësuar zërin e këtyre grupeve në promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë për një shoqëri shqiptare më paqësore dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian.

Rinia është Evropiane

Projekti i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është rruga e vetme e suksesshme për një Shqipëri me zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratike. 

Rinia shqiptare, e cila përbën gjysmën e popullsisë së vendit, është segmenti më pro-Evropian i shoqërisë sonë. Pavarësisht nga ndjenjat pro-Evropiane, fenomeni i largimit nga vendi i të rinjve dhe ‘largimi i trurit’ është kthyer në një shqetësim real për të ardhmen e vendit. Më shumë se kurrë është e rëndësishme të sjellim Evropën tek të rinjtë dhe t’i ndihmojmë të kuptojnë se ata janë tashmë pjesë e saj. Të rinjve shqiptarë u duhet bërë me dije se Evropa është në shtëpinë e tyre.

Tirana, duke qenë kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti me numrin më të madh të të rinjve në rang kombëtar, është një lokomotivë për të gjithë vendin dhe si e tillë ka një rol kryesor në fuqizimin e Rinisë së saj drejt strategjive dhe politikë bërjes. 

Këto janë arsyet se pse fokusi i programit tonë është inkurajimi i ndjenjës së përkatësisë në familjen e BE-së duke zbatuar projekt ide dhe aktivitete të tilla si ‘Modeli i Parlamentit Evropian’, aktivitete shkëmbimi eksperiencash me kolegë e bashkëmoshatarë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, projekte kulturore dhe artistike që promovojnë vlerat Evropiane. 

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është nxitja e identitetit të përbashkët Evropian duke promovuar vlerat demokratike dhe duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e punës së përbashkët për të ardhmen e familjes Evropiane.

Rinia dhe Eco-Health

Shëndeti i njerëzve është mjaft i ndërlidhur me shëndetin e mjedisit përreth tyre. Çështje si ndryshimi i klimës dhe pandemia janë duke u kthyer gjithmonë e më shumë në kambana alarmi. 

Të rinjtë përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë së botës dhe do të duhet të jetojnë më gjatë me pasojat e vendimeve aktuale mjedisore. Është shumë thelbësore që Shqipëria të fillojë tranzicionin e saj drejt një ekonomie dhe mënyre jetese më të gjelbër. Jemi partizanë të mendimit se të rinjtë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e popullsisë së vendit drejt ndryshimeve në sjelljen dhe zakonet e tyre.

Programi Eco – Health promovon një mënyrë të shëndetshme jetese tek të rinjtë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë thelbësore të një ekosistemi të shëndetshëm për të gjitha qeniet dhe organizmat që gjenden në natyrë. Njerëzit janë një pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi, por njëkohësisht edhe rreziku i tij më i madh.  

Përmes këtij programi, do të përdoren praktika arsimore jo formale si pjesëmarrja gjithëpërfshirëse dhe vullnetare në iniciativat e përbashkëta të mbjelljes së pemëve; aktivitete edukuese mes bashkëmoshatarëve të cilat adresojnë shëndetin mendor dhe fizik; do të promovojmë një mënyrë jetese aktive dhe të bazuar në natyrë, duke përfshirë praktikat e të ushqyerit të shëndetshëm dhe kujdesin vetjak; do të organizohen workshope inovative me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet shëndetësore dhe çështjet e mjedisit në nivel lokal por edhe atë global, ku të rinjtë do të ofrojnë idetë dhe zgjidhjet e tyre për adresimn e sfidave.

Këto aktivitete do të inkurajojnë të rinjtë të bëhen udhëheqës aktivë të ndryshimit për një shoqëri më të shëndetshme, të zhvilluar dhe të qëndrueshme.

Rinia dhe Hapësirat Rinore

Për rininë, hapësirat publike janë pjesë e domosdoshme e zhvillimit të tyre. Ato lehtësojnë ndërveprimin social dhe lidhjet kulturore, duke ndihmuar në krijimin e një përkatësie për pronën publike, identitet dhe përkatësi në komunitet.

Rinia është një nga grupet e përdoruesve më aktivë të hapësirave publike dhe është e rëndësishme që qytetet të përfshijnë perspektivat e të rinjve në krijimin e këtyre hapësirave. 

Duke filluar nga shkollat, bibliotekat, sheshet, parqet dhe qendrat e tjera rekreative urbane, të gjitha këto kthehen në pika qendrore për zhvillimin e të rinjve. Sa më kreative, të arritshme dhe të mirë projektuara të jenë këto hapësira për të rinjtë, aq më i lartë do të jetë ndikimi në jetën e tyre sociale dhe kulturore.

Ky program synon të nxisë zbatimin e projekt ideve që ofrojnë hapësira fizike dhe infrastruktura shtesë e miqësore për të rinjtë në qytet, të cilat janë autonome, të hapura, të sigurta dhe të aksesueshme nga të gjithë. Disa nga këto hapësira kanë për qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për zhvillimin dhe sigurimin e mundësive për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe në jetën e qytetit. 

Qëllimi fundor i këtij programi është që të rinjtë të bëhen bashkë-dizenjues të hapësirave urbane të Tiranës, duke identifikuar gjithashtu mënyra se si komuniteti i tyre mund të përdorë këto hapësira për të patur një angazhim më të mirë social dhe kulturor.